×

News

Monitorimi i Pasakreditimit dhe krijimi i Regjistrit Kosovar të Kualifikimeve

Zhvillimi i Metodologjisë së Monitorimit të Pasakreditimit dhe krijimi i Regjistrit Kosovar të Kualifikimeve kanë hyrë me sukses në fazën përfundimtare.

Procesi i zhvillimit të metodologjisë së Monitorimit të Pasakreditimit, instrumenteve ligjore (UA) dhe përmbajtjes së Regjistrit Kosovar të Kualifikimeve është finalizuar me sukses nga projekti ALLED2, në bashkëpunim me Autoritetin Kombëtar të Kualifikimeve (AKK) dhe të gjithë hisedarët e fushës së Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP).

Në kuadër të këtij procesi, më 11 korrik 2024, në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, u organizua një sesion informues dhe trajnim për përmbajtjen e Regjistrit të digjitalizuar të Kualifikimeve në Kosovë. Ky aktivitet u organizua nga AKK me mbështetje nga ekspertiza e ALLED2.

Pjesëmarrësit përfshinin rreth 80 përfaqësues nga Institucionet e Aftësimit Profesional (IAP) të akredituara nga AKK, Institucionet e Arsimit të Lartë (IAL), dhe Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA). Trajnimi u mbajt nga Prof. Dr. Ferdije Zhushi dhe kompania UNISOFT, e cila është përgjegjëse për zhvillimin e platformës digjitale. Përfaqësuesit e projektit ALLED2 prezantuan procesin e zhvillimit të Regjistrit të Kualifikimeve në një kontekst më të gjerë, duke nënvizuar mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) në përmirësimin e shërbimeve arsimore në Kosovë, rritjen e transparencës, sigurimin e cilësisë, dhe dixhitalizimin si një faktor kyç.

Pikat kryesore të punëtorisë përfshinë prezantimin e kryeartikujve të Regjistrit të Kualifikimeve, rolin e AKK-së, AKA-së, MASHTI-t, IAP-ve dhe IAL-ve në administrimin dhe popullimin e regjistrit, si dhe elementet e tij në Njohjen e Mësimit Paraprak (NjMP) dhe monitorimin e pasakreditimit të institucioneve të akredituara të AAP-së dhe AL-së. Gjithashtu, u diskutuan hapat e mëtejshëm dhe rekomandimet për maksimizimin e shërbimeve të platformës.

Në një të ardhme të afërt pritet lançimi zyrtar i Regjistrit Kosovar të Kualifikimeve. Deri atëherë, sesione të tjera informuese do të organizohen për akterët tjerë të AAP-së, në koordinim me MASHTI-n. 

ALLED2 mbetet i përkushtuar për të zbatuar me sukses edhe aktivitetet e tjera në bashkëpunim me AKK-në, të cilat janë në fazën finale, përfshirë integrimin e softuerit dhe faqes së internetit në ASHI, përgatitjen e manualeve të akreditimit dhe validimit (përfshirë Nivelin 5 të KKK-së), si dhe rishikimin e Udhëzimeve Administrative gjatë periudhës në vijim.