×

News

Hap përpara në Edukimin Profesional për Teknikët e Pylltarisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit

Projekti ALLED2 organizoi një punëtori dyditore që shënoi fazën përfundimtare të hartimit të kurrikulës për profilin “Teknik i Pylltarisë dhe Mbrojtjes së Mjedisit”. Ky aktivitet u realizua në koordinim të ngushtë me Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, si dhe ekspertët e D&D-së/Qendrës së Mbështetjes së Biznesit.

Në këtë punëtori morën pjesë përfaqësues nga institucione dhe agjensione të ndryshme, duke përfshirë Fakultetin e Bujqësisë të Universitetit të Prishtinës dhe Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit shkencave të Jetës dhe Mjedisit Universitetit të Prizrenit, Drejtoritë Komunale të Arsimit, shkolla profesionale, si dhe përfaqësues nga institucione kyçe si Parku Kombëtar i Bjeshkëve të Nemuna dhe Agjencia Pyjore e Kosovës. Ky bashkëpunim ndërinstitucional theksoi rëndësinë e lidhjes mes arsimit dhe praktikave profesionale për përgatitjen e nxënësve ndaj sfidave të tregut të punës dhe industrisë.

Pjesëmarrësit diskutuan strukturën dhe përmbajtjen e kurrikulës, modulet për klasat 10, 11 dhe 12, dhe kompetencat që nxënësit do të zhvillojnë, përfshirë ato profesionale dhe të përgjithshme. Një nga temat kryesore ishte integrimi i teorisë me praktikën, me fokus në metodologjitë e përshtatshme dhe rastet praktike nga shkollat profesionale.

Një pjesë e rëndësishme ishte roli i mësimdhënësve dhe instruktorëve në zbatimin e kurrikulës, me theks të veçantë në bashkëpunimin me industrinë dhe vlerësimin e njohurive dhe aftësive praktike të nxënësve. Prezantimet mbi metodat e vlerësimit, si testet, detyrat praktike dhe projektet, u vlerësuan si mjete të rëndësishme për matjen e zhvillimit profesional të nxënësve.

Në përfundim, pjesëmarrësit ndanë praktikat më të mira dhe adresuan sfidat që mund të shfaqen gjatë zbatimit të kurrikulës, duke nënvizuar rëndësinë e vazhdimit të bashkëpunimit për të siguruar cilësinë dhe përmirësimin e mëtejshëm të këtij procesi.

Punëtoria shënoi një hap të rëndësishëm në përgatitjen e një sistemi arsimor që i përgjigjet nevojave të tregut të punës dhe mjedisit, duke kontribuar në zhvillimin e nxënësve si profesionistë të aftë dhe të përkushtuar. Në përmbyllje, pjesëmarrësit u pajisën me mirënjohje dhe certifikata, duke vlerësuar kontributin dhe përkushtimin e tyre në këtë proces.