×

Bota e biznesit

Bota e biznesit

Një nga objektivat specifik të projektit ALLED2 është ngritja e nivelit të cilësisë së mësimdhënies dhe të mësimnxënies praktike dhe të aplikuar në shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) dhe në Qendrat për Aftësim Profesional (QAP) në sektorët kryesorë të profesionit që janë relevante për nevojat e tregut, përfshirë udhëzimin dhe këshillimin për karrierë; Kosova duhet të vazhdojë ta forcojë cilësinë dhe relevancën e programeve të arsimit dhe lidhjen midis arsimit dhe tregut të punës, si parakusht për punësueshmëri dhe zhvillim ekonomik. Tranzicioni joefikas nga arsimi në punë kontribuon në papunësi dhe performancë të ulët ekonomike. Në këtë drejtim, harmonizimi i arsimit me nevojat e tregut të punës mund t’i përmirësojë në mënyrë efektive mundësitë e studentëve për kalim nga arsimi në punësim. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me sektorin privat në kuptim të implementimit të aktiviteteve është shumë i rëndësishëm për arritjen e rezultateve të qëndrueshme të projektit. Fokusi kryesor do të jetë në harmonizimin e materialeve arsimore dhe aftësuese me nevojat e tregut të punës, në përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies dhe në pajisjen e duhur të shkollave të AAP për ta mbështetur aftësimin praktik.

Bazuar në rezultatet e ALLED I, faza e dytë do të vazhdojë me veprimet në harmonizimin e arsimit dhe aftësimit me nevojat e tregut të punës në Kosovë përmes mbajtjes së rezultateve të mbërritura dhe mbështetjes së masave inovative bazuar në planet IPA 2017. Ajo gjithashtu synon që ta adresojë Objektivin 4 të OKB-së për Zhvillimin e Qëndrueshëm1 dhe objektivat e Hendekut Gjinor II së BE-së, posaçërisht objektivi 13 që promovon qasje të barabartë për vajzat dhe gratë në të gjitha nivelet e arsimit cilësor dhe arsimit dhe aftësimit profesional (AAP) pa diskriminim2. Në këtë drejtim, projekti ALLED2 do t’i kushtojë vëmendje të veçantë dhe do t’i shtojë përpjekjet për krijimin e lidhjeve shumë më të ngushta midis arsimit dhe nevojave të tregut të punës në Kosovë.

Prandaj, aktivitetet e ALLED2 do ta synojnë forcimin e lidhjes dhe harmonizimin e arsimit dhe aftësimit në AL dhe AAP/QAP me nevojat e tregut të punës në drejtim të zhvillimit të një sistemi dhe të praktikës për ta mbështetur bashkëpunimin. Kjo nënkupton zhvillimin e sistemeve të TP për planifikimin dhe monitorimin e nevojës. Kjo gjithashtu nënkupton zhvillimin e programeve të AL dhe AAP sipas nevojës së profesioneve dhe shkathtësive sipas industrisë, kompanive dhe ndërmarrjeve. Ekziston nevoja për ta forcuar kapacitetin e stafit në arsim, para së gjithash të mësimdhënësve dhe të aftësuesve në ofrimin e programeve. Duhet të thellohen lidhjet midis arsimit dhe punës, siç është mësimi i bazuar në punë dhe këshillimi në karrierë për kalim në TP.

Lidhur me inovacionin, Programi i ri i veprimit i ALLED e thekson hapin e radhës në harmonizimin e arsimit me tregun e punës; në ndërtimin e modeleve konkrete të bashkëpunimit dhe të masave midis arsimit dhe aftësimit dhe sektorit privat me efekte sistemike. ALLED2 e mbështetë zhvillimin e kapaciteteve të resurseve njerëzore në institucione, si në arsim, ashtu edhe në shërbimet e punësimit, si dhe në sektorin privat të Kosovës. Kjo kërkon bashkëpunim dhe koordinim midis aktorëve të ndryshëm dhe hisedarëve.

Projekti gjithashtu do ta mbështetë pilotimin dhe implementimin e kualifikimeve dhe programeve të zhvilluara nga IAL dhe bashkëpunimin e universitetit dhe sektorit privat si dhe me AAP. Sigurimi i cilësisë gjatë implementimit të projektit do të bëhet përmes theksit të fortë në nivelin drejtues në ndërlidhjen me sektorin privat dhe institucionalizimin e aktiviteteve për rezultate të qëndrueshme të projektit.

Për të pasur bashkëpunim të ngushtë me sektorin privat, siç janë hisedarët kryesor në adresimin e nevojave të tregut të punës, Bordi Drejtues ka mundësi që të ftojë, sipas nevojës, aktorë shtesë për të marrë pjesë në takimet e tij, p.sh. ekspertët vendorë dhe ndërkombëtarë në arsim dhe punësueshmëri; përfaqësues të sektorit privat siç është Oda ekonomike, shoqatat tjera dhe ndërmarrjet.

Disa nga rezultatet e pritura në lidhje me AAP dhe bashkëpunimin e sektorit privat janë:

  1. Rezultati i pritur 1: Programet e studimit shërbejnë si një qendër e kompetencave për industrinë dhe AAP: kurrikula, plotësimi i diplomës dhe menaxhimi i fakulteteve janë përmirësuar, kanë lidhje me tregun e punës dhe çojnë në rritjen e punësueshmërisë;
  2. Rezultati i pritur 3: Shkollat e Arsimit dhe Aftësimit Profesional (AAP) dhe Qendrat e Aftësimit Profesional (QAP) ofrojnë programe cilësore bazuar në nevojat e tregut të punës; përfshirë trajnimin e mësimdhënësve/aftësuesve, mekanizmat e qëndrueshëm të sigurimit të cilësisë dhe sigurimin e pajisjeve përkatëse;
  3. Rezultati i pritur 5: Lidhja midis arsimit dhe aftësimit profesional (AAP) dhe sektorit të biznesit është më e strukturuar; mjetet e caktuara të planifikimit për AAP janë vendosur në mënyrë të qëndrueshme; dhe stimujt janë identifikuar dhe pilotuar.